Udhëzime përmbledhëse për vaksinimin kundër COVID-19 për pacientët me kancer (SHQIP)
Pacientët me kancer duhet të vaksinohen, pavarsisht a) se kanë një kancer aktiv, b) llojit të terapisë onkologjike që marrin, c) janë në ndjekje pas trajtimit, d) janë të mbijetuar nga kanceri.
Bazuar në këtë, nga vende të ndryshme dhe institucione internacionale janë sugjeruar disa rekomandime specifike për kohën dhe prioritetin e vaksinimit kundër COVID-19 në pacientë me kancer (pyesni mjekun tuaj për detajet e kohës dhe prioritetin për vaksinimin tuaj).
1. Nese ju keni një sëmundje kanceroze aktive ose malinjancë hematologjike që kërkon trajtim me kimioterapi ose jeni diagnostikuar me tumor solid në 5 vjetët e fundit, ju mund të keni një risk më të lartë për të zhvilluar sëmundje të rëndë COVID-19 dhe ju, me shumë mundësi, do të jeni me prioritet për tu vaksinuar kundër COVID-19 (pyesni ekipin tuaj mjekësor për grupin tuaj të riskut dhe prioritetin).
2. Vaksinimi është i indikuar pavarsisht trajtimit specifik antikanceroz që po merrni (radioterapi, imunoterapi, kimioterapi ose trajtime të tjera biologjike specifike), edhe nëqoftëse keni bërë transplant të qelizave staminale. Të presësh për vaksinimin nuk është një arsye për të shtyrë ose vonuar trajtimin tuaj.
– Vaksinimi rekomandohet të kryhet para fillimit të kimioterapisë, kur kjo është e mundur. Nese ju jeni duke marr kimioterapi, sugjerohet që të kryheni vaksinën kur rruazat e bardha të gjakut janë në limitet e normës.
– Nëse ju jeni duke marr kimioterapi citotoksike ose imunoterapi, disa autoritete sugjerojnë që vaksina të kryhet 15 ditë pas trajtimit dhe 7 ditë përpara terapisë së rradhës, kur terapia është me regjim 3 javor. Ndryshe vaksinimi këshillohet të kryhet midis cikleve të kimioterapisë dhe larg periudhës nadir (periudhë me qeliza gjaku të ulëta, zakonisht 7-14 ditë post-trajtim, por kjo mund të varioj në bazë të trajtimeve specifike). Zakonisht sugjerohet që trajtimi të shmanget kur priten efekte anësore nga vaksinimi.
– Për pacientë që priten të përfundojnë terapinë citotoksike, doza e parë e vaksinës rekomandohet të jepet pas përfundimit të terapisë dhe zgjidhjes së periudhës nadir. Në cdo rast vendimi merret pas diskutimit të rastit me mjekun ose ekipin tuaj mjekësor për alternativën më të mirë për ju.
– Në rast interventi kirurgjikal të planifikuar, vaksinimi rekomandohet të kryhet të paktën një javë para interventit. Vaksinimi mund të kryhet në cdo kohë pas interventit kirurgjikal, kur rruazat e bardha të gjakut janë në normë. Ju lutemi të pyesni mjekun ose ekipin tuaj mjekësor për këshilla të mëtejshme.
3. Nese ju keni kryer a) transplant allogjenik të qelizave staminale në mungesë të sëmundjes graft versus host (GVHD) ose b) terapi deplecioni të qelizave B, ju mund të kryeni vaksinimin disa muaj më vonë bazuar në sugjerimet dhe udhëzimet e ndryshme (ESMO, HCS, BSMO, DGHO, ASCO, ASH, Bordi i kimioterapise UK). Pyesni mjekun tuaj cili opsion është më i mirë për ju.
Disa pacientë mund të kenë mbrojtje të reduktuar pas vaksinimit për shkak të trajtimit të tyre. Kini besim tek mjeku juaj, nëse ju bëni pjesë në këtë grup pacientësh, mjeku juaj do tju informoj.
4. Vaksinimi nuk është i ndaluar në pacientë pas infektimit nga COVID-19 ose infektimit pas dozës së parë të vaksinës, madje edhe nëse e keni kaluar një infeksion COVID-19 në të kaluarën, vaksinimi rrit sigurinë tuaj (duke forcuar memorjen e sistemit imunitar). AIOM, COMU, CIPOMO, HESMO sugjerojnë që vaksinimi të kryhet 15 ditë pas shërimit nga infeksioni COVID-19, ose 1 muaj pas fillimit të infeksionit.
ASCO, CDS sugjerojnë që vaksinimi të kryhet pas 6 javësh (42 ditë) pas dozës së parë të vaksinës në rastet e infeksioneve pas aplikimit të dozës së parë.
Nese ju keni marr terapi me antitrupa pasiv (antitrupa monoklonal ose plazmë konvaleshente) si pjesë e terapisë kundër COVID-19, ju mund të vaksinoheni pas së paku 90 ditësh.
Kundërindikacione për vaksinimin
Kundërindikacionet për vaksinimin janë të njëjta si për gjithë popullatën.
1) Vaksinimi NUK është i indikuar për ju nëse ju keni kundërindikacione nga vaksina ose cdo komponent specific i vaksinës së SARS-COV 2, si reaksion alergjik i rëndë.
2) Nëse ju keni kaluar në të shkuarën një reaksion alergjik të rëndë ndaj vaksinave të tjera, medikamenteve të injektueshme ose nëse keni lloje të tjera alergjish specifike, diskutojeni me mjekun tuaj meqënëse udhëzimet mund të jenë të ndryshme.
Përvec kësaj, është zakonisht e pranuar që nëse ju keni reaksion alergjik/anafilaktik ndaj një vaksine, medikamenti ose ushqimi, ju këshilloheni të mos kryeni vaksinën e Pfizer. Diskutoni me mjekun tuaj pasi udhëzimet mund të variojnë sipas shteteve të ndryshme dhe ofruesve të shërbimeve mjekësore.
Nëse ju do keni një reaksion alergjik të rëndë pas administrimit të dozës së parë të vaksinës, me shumë mundësi ju nuk do e kryeni dozën e dytë. Edhe në këtë rast duhet të diskutoni me mjekun tuaj meqënëse udhëzimet e vaksinave variojnë në vende të ndryshme.
Për sa i përket vaksinës AstraZeneca, pacientët me histori të anafilaksisë ose angioedemës janë përjashtuar nga studimet klinike.
Meqë ka të dhëna të limituara për efektet e vaksinimit kundër COVID-19 në pacientët me kancer që lidhen me efikasitetin e zgjatjen e imunitetit si dhe ndërveprimet me terapitë antikanceroze, informacioni dhe udhëzimet për vaksinimin e të sëmurëve me kancer do të përftohen nga gjetjet e programeve të vaksinimit nga cdo vend dhe të dhënat reale në rang global. I gjithë informacioni është empirik dhe shtohet me kohën meqë pandemia COVID-19 do të zgjas në kohë duke përfshirë faza të ndryshme të saj.